Në raste të tilla thuhet se flamuri u ul në gjysmështizë, por duket se u shkul me gjithë shtizë. Asnjë skuadër shqiptare nuk mbijetoi në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, pasi Vllaznia, Laçi e Tirana u eliminuan. Tri humbje këtë mbrëmje, dhe asnjë fitore në këtë raund, me vetëm dy barazimet e shkodranëve dhe të kurbinasve në ndeshjet e para. Vllaznia ishte zhgënjimi i parë me humbjen 0-3 në Rumani ndaj Universitateas së Krajoës, por e papritura më e madhe ishte ajo e Laçit. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro, e cilësuar favorite për të kaluar turin pas barazimit në Moldavi, u dorëzua plotësisht në pjesën e dytë përballë Petrokubit. Edhe pse Mentor Mazrekaj e kaloi në avantazh në pjesën e parë, ekipi shqiptar pësoi plot 4 gola pas pushimit. Një kapitullim i vërtetë.
Tirana gjithashtu pësoi dy humbje, por gjithsesi luftoi shumë në Bosnjë-Hercegovinë duke treguar më në fund krenarinë e kampiones së Shqipërisë. Bardheblutë u mundën 3-2 nga Zrinjski, pas disfatës 1-0 në “Arenën Air Albani”, veçse bëri përshtypjen më të mirë këtë herë. Ismajlgecaj dhe Xhixha ishin autorët e golave, që vlejtën më shumë për të shpëtuar nderin sepse boshnjakët ishin gjatë gjithë kohës në avantazh dhe me kualifikimin të siguruar. Pas zhgënjimit europian, ekipeve shqiptare u mbetet të përqëndrohen tek sezoni i Superligës që nis në 20 gusht.
Sfidanti.al