Dëgjoni Al Helaifin: Nejmar, 2000 për qind tek Paris SG

Përfaqësuesi i një perandorie multimiliardere nuk do t’ia dijë për paratë. As kur bëhet fjalë për 260 milionë euro. Në krye të saj është Tamim bin Halifa Al-Tani monarku i Katarit, dhe përfaqësues i tij është Naser Al Helaifi, presidenti i Paris SG. Ky i fundit dha shenjën më kuptimplotë se asgjë nuk do të ndryshojë në skuadër, kur bëri deklaratën e tij për të ardhmen e Nejmarit.

“Me 2000 për qind, Nejmar do të mbetet tek Paris SG, – ishin fjalët e tij, – mediat spanjolle vazhdojnë të shkruajnë e të flasin që nga tetori, se ai nuk është i lumtur tek ne, por kjo është një gënjeshtër, dhe nuk dua të bëj përgënjeshtrim pas përgënjeshtrimi. Nejmar ka kontratë me ne, dhe do të qendrojë”.

Flitet shumë se ylli brazilian nuk ka dëshirë të vazhdojë në ligën franceze, vetëm një vit pasi u bashkua me PSG-në, dhe se Reali është gati të bëjë të pamundurën për ta marrë. Fliten shifra nga 260 deri në 600 milionë euro, për një operacion shumë kompleks dhe të kushtueshëm, por fjalën e fundit do ta thotë gjithnjë Al Helaifi.

Jo më kot, “Marka” kishte paralajmëruar se Nejmar dhe Reali po përplasin kokën pas një muri. “Perandoria financiare” e Katarit është tepër e madhe për t’u tunduar apo për t’u detyruar, ndërsa Nejmar është imazhi i një projekti të jashtëzakonshëm futbollistik që ka synime afatgjata. Nuk duhet harruar, thekson “Marka”, se kundër dëshirës së Al Helaifit nuk ia ka dalë askush në PSG. Verrati, Kavani apo Di Maria nuk mundën të largoheshin edhe pse patën mundësi dhe dëshirë. Ndoshta, kështu do të ndodhë edhe me Nejmarin.

Sfidanti.al