Një yll i ri në Xhiron e Italisë, ylli i vjetër i Frumit në rënie

Quhet Riçard Antonio Karapaz, ndërsa ka edhe një mbiemër tjetër në fund “Montenegro”. Çiklisti i lindur në 1993 u bë i pari ekuadorian që fiton një etapë të Xhiros së Italisë, duke bërë një mrekulli në ngjitjen e dytë malore të këtij edicioni. Djaloshi që mbush 25 vjeç pas pak ditësh la pas rivalët e mëdhenj për të mbërritur si numri 1 në majën e Monteverxhines së Merkolianos. Shiu ishte litarë, por Karapaz nuk u ndal duke vendosur rekordin e tij. Ky sukses bëri që të jetë në vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme, 1 minutë e 6 sekonda pas kreut.

Në vend të parë është një britanik, por jo Kris Frumi. Në krye mbahet Sajmën Jejts (Simon Yates) i skuadrës Miçelton-Skot, ndërsa fare pranë tij është holandezi Tom Dumulin me vetëm 16 sekonda vonesë. Gara pritet e fortë deri në fund, pasi pranë janë edhe Esteban Çavez, Tibo Pino, Domeniko Pocovivo apo Rohan Denis.

Ç’po ndodh me kampionin e madh Kris Frum? Fituesi i 4 Tureve të Francës, pësoi rrëzimin e dytë në këtë Xhiro, pikërisht në garën e djeshme, ndërsa u rrëzua edhe në kronometrin individual, në etapën e parë në Jeruzalem. Anglezi nuk është tepër prapa, vetëm 1 minutë e 10 sekonda, por nuk duket në formën e tij më të mirë dhe ndoshta ylli i 33-vjeçarit (i mbush në 20 maj), është në rënie.

Sfidanti.al