Asgjë nuk u përcaktua pas ndeshjeve të para të turit të dytë të Championsit në Sevilje dhe Harkiv. Në Spanjë, formacioni i Seviljes e mbylli në portë Mançester Junajtidin, por të besuarit e Vinçenco Montelës nuk i kishin bërë llogaritë mirë pasi kishin harruar portierin De Gea. Gardiani spanjoll ishte “engjëlli mbrojtës” i “djajve të kuq” duke bërë pritje të jashtëzakonshme dhe duke lejuar që ekipi i Murinjos të shkojë në ndeshjen e dytë me avantazhin e barazimit 0-0 jashtë fushe.
De Gea i bëri pritjet kryesore në pjesën e parë, kur Sevilja mund të kishte shënuar më shumë se një herë, ndërsa Junajtid zhvilloi një lojë shumë mbrojtëse. Gjithsesi, skuadra e Murinjos nuk e prishi traditën e anglezëve në këtë raund të Championit, që nuk pësuan asnjë humbje dhe që kanë 4 ekipe favoritë për të kaluar në çerekfinale, dhe vetëm njërin jo favorit (Çelsin ndaj Barcelonës).
Në Ukrainë u zhvillua një ndeshje më e fortë dhe më e barabartë, edhe pse njëra skuadër fitoi. Ia doli pikërisht Shahtari i Donjeckut edhe pse luajti në stadiumin e Harkivit, dhe jo në qytetin e tij të dëmtuar nga lufta. Roma italiane zhvilloi një pjesë të parë me nivel të lartë dhe meritoi avantazhin me golin e turkut të ri, Xhengis Ynder në 41’. Pas pushimit, ukrainasit treguan karakter, por shfaqën edhe përvojën e tyre më të madhe sesa Roma, duke përmbysur shifrat. Fakundo Ferreira barazoi shpejt (52’), ndërsa Fred përmbysi shifrat me një gol të madh nga goditja e dënimit.
Sfidanti.al