Njëzetekatër orë më parë ai dha lajmin se do të largohej nga Shqipëria në fund të edicionit eleminator të Botërorit. Diçka vërtet magjike ka ndodhur me Xhani De Biazin në më pak se një ditë-natë, që e ka bërë atë që të bëjë një ndryshim kaq të madh.
Vetë italiani e mori përsipër vetë autorësinë, duke thënë se “ndërsa ishim për drekë në bregdetin e Durrësit, mendova të ikja që tani, për t’i dhënë mundësi Federatës që të gjejë sa më shpejt një trajner, dhe që trajneri i ri të ketë më shumë kohë në dispozicion për të njohur skuadrën”.
Nuk munguan lavdërimet, si ai i Dukës që tha se “De Biazi është trajneri më i mirë që ka pasur ndonjëherë kombëtarja, ndërsa unë jam i emocionuar”, apo si fjalët e De Biazit se “raporti im me presidentin ka qenë i shkëlqyer, edhe pse jo gjithnjë kemi qenë dakord”.
“Çifti” pra ndahet siç pritej nga të gjithë, sidomos pas fjalëve për një raport aspak të mirë mes tyre, por përpara opinionit, “dhëndëri dhe nusja” hodhën poshtë çdo të keqe, duke thënë se nuk u ndanë se nuk iu përputh karakteri, as për ndonjë gjë tjetër, por thjesht sepse kështu e ka jeta (që gjithnjë duhet të ketë një apo më shumë arsye).
De Biazi, megjithatë, u përpoq t’i jepte një logjikë ndarjes, për të mos u konsideruar se “ndodhi sepse nuk njihte pishën nga bredhi”. “Ndjej se nuk kam se çfarë jap më, në stolin e Shqipërisë, pas 5 vitesh e gjysmë”, – u shpreh ai. Kjo u tha, pak ditë pasi ky trajner i ezauruar në krye të ekipit të tij arriti një fitore “dosido”, 3-0 në fushën e një ekipi rival direkt si Izraeli.
Cili pritet të jetë trajneri i ri i kombëtares?
Ku pritet të shkojë De Biazi?
Të dyja palët dolën “jallan shahit”, krejt të pafajshëm. Duka bëri be e rrufe se nuk ka bërë asnjë përçapje për trajner të ri, dhe se vetëm tani do të nisë të kërkojë. “Nuk iu them dot as nëse do të jetë trajner i përkohshëm apo i përhershëm”, – tha ai, ndërsa pranoi e ish-ndihmësi i De Biazit, Tramexani, mund të jetë kandidat.
De Biazi po ashtu u betua se nuk ka asnjë ofertë konkrete, duke premtuar se “do ta merrni vesh sapo ta kem”. i pyetur nëse mund të ketë ndonjë detyrë tjetër në Shqipëri, italiani tha se “Duka do të thotë se nuk m’u hoq qafe ky trazovaç”, ndërsa pyetjes se mos ndoshta do të bëhej trajner i Kosovës, 60-vjeçari bëri sërish shaka (përgjysmë): “Më lejoni të pyes prokuratorin tim”, duke i rrahur shpatullat Dukës.
Sfidanti.al