Nuk ka qenë një javë e mirë për trajnerët italianë në Europë. Vinçenco Montela u shkarkua nga Milani dhe Xhani De Biazi nga Alaveshi në Spanjë, ndërsa më herët gjatë sezonit Karlo Ançeloti humbi punën e tij milionere tek Bajerni i Mynihut, apo edhe Mark Iulianos iu dhanë duart tek Partizani në Tiranë. Në një futboll profesionist që i ngjan xhunglës (me përjashtimin që mbetesh gjallë dhe i merr paratë e tua), trajneri është gjithnjë me valixhet në dorë.
“Nuk e kuptoj se çfarë kërkonin, – tha Xhani De Biazi, pas shkarkimit, – e mora skuadrën në vendin e fundit me vetëm një gol të shënuar. Arritëm dy fitore dhe shënuam jo pak gola. Situata ishte e vështirë, por jo e pashpresë (kujtoni Krotonen që kishte vetëm 5 pikë pas shumë javësh vitin e kaluar dhe shpëtoi). Skuadra nuk kishte shumë personalitet, blerjet nuk ishin bërë siç duhet”.
Për fat të keq, ata që shpenzojnë paratë nuk kanë durim, edhe nëse kanë pasaportë shqiptare, spanjolle, gjermane, italiane apo kineze. Pronari bën ligjin edhe pse shpesh për të “zezën e vet”. Rasti i De Biazit është tipik, pasi veterani e ka treguar në të kaluarën se di të punojë në ekipe si Alaveshi. Mjaftojnë shembujt tek Modena dhe Torino, apo ajo që bëri me Shqipërinë.
Po Montela? Dakord, Milani nuk po bindte, por me 10 ndryshime gjatë verës vështirë të pritej një skuadër e vërtetë. Gatuzo quhet luftëtar dhe thotë se “nuk dua të humbas edhe kur luaj futboll lodër me tim bir”, por nuk dihet nëse thjesht karakteri i tij do të mjaftojë që Milani të bëhet i madh, siç duan pronarët e rinj kinezë.
Sfidanti.al