Daliç – anglezëve: Të kishim ne paratë tuaja, ku do ta mbanim vrapin!

Trajneri kroat, Zllatko Daliç, reagoi me lot në sy ndaj përsëritjes së suksesit të Kroacisë që doli edhe një herë tjetër në gjysmëfinale të Kupës së Botës, kësaj here në Rusi, mbas asaj të vitit 1998 të Francës, ndërkohë që ai ka filluar që ta përgatisë ekipin për gjysmëfinalen me Anglinë, të mërkurën, në orën 20:00. Kroacia, mbas dy ndeshjeve drithëruese që i fitoi me “ruletën” ruse të serisë së penalltive ndaj Danimarkës dhe Rusisë, tani do të ndeshet me “Albionin krenar”, me synimin që të bëjë një hap më shumë sesa ai që bëri më 1998, kur zuri vendin e 3-të në Botërorin e atëhershëm. Daliçi e di se ndeshja me anglezët do të jetë shumë e vështirë, ndërkohë që lojtarët kroatë pothuajse janë rraskapitur.

Sidoqoftë, Daliçi, në një mënyrë interesante, i bëri të ditur medias angleze se çfarë kapaciteti ka Kroacia: “Kjo që ne kemi arritur, është një sukses i madh, sepse ne jemi akoma këtu, në Botëror, kurse ekipe të tillë, si Argjentina, Gjermania dhe Brazili, tanimë, janë kthyer në shtëpi. Anglia, ndoshta, ka ligën më cilësore në botë, ka shumë para…Por, ne jemi ata që jemi dhe sikur ne të kishim paratë që keni ju, anglezët, kushedi se ku do ta mbanim ne vrapin”, vuri në dukje trajneri kroat.
Sfidanti.al