Një tjetër udhëtim, me shpresë që të jetë i parafundit drejt suksesit. Franca, favoritja e këtij Botërori, shkoi në Shën Peterburg, për gjysmëfinalen e sotme ndaj Belgjikës. E mbushur me emra të mëdhenj, dhe me talente që kanë shpërthyer papritur, pas rezultateve pozitive, gjithçka duket e përsosur.
Gjithsesi, 4 lojtarë nuk morën pjesë në stërvitjen e fundit, përfshi edhe Mbapenë. “Ne e njohim Belgjikën dhe ata na njohin ne, – thotë trajneri Deshamp, – Veçantia është se shumë lojtarë të mi do të ndeshen me shokë të skuadrave në klubet e tyre. Pra njohja është e plotë dhe ky është një avantazh për të dyja skuadrat. Ne nuk kemi asnjë problem me dëmtimet, 4 lojtarë munguan në stërvitje, por ata janë gati”.
Vlerësim të lartë për Belgjikën nga kapiteni francez, Joris. “Mendoj se Belgjika është skuadra më e plotë dhe më e fortë e këtij Botërori, – pohon portieri veteran, – Nuk i mungon asgjë në asnjë repart, ka gjithçka për të qenë një skuadër e madhe, dhe është vërtet një skuadër e madhe. Do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi gati. Nuk duam ta humbim këtë mundësi të madhe”.
Belgjika duket më e fortë se kurrë. Eleminimi i Brazilit ka rritur besimin në maksimum, ndërsa plus është që ekipi ka vetëm një mungesë, mbrojtësin e pezulluar, Mënier.
“Është një mundësi e rrallë për të gjithë ne, për Belgjikën për të shkuar në finalen e Botërorit, – thotë trajneri Martinez, – Kemi dy vjet që punojmë për këtë qëllim. Do të duhet të përmirësohemi në krahasim me Brazilin në disa aspekte. Mendoj se Franca është e ngjashme me Brazilin, ndaj sfida do të jetë shumë e vështirë”.
Besimin e madh e shpreh edhe ylli i mesfushës, De Brujn. “Padyshim që jemi tepër të emocionuar, pasi jemi në prag të gjysmëfinales së Botërorit, – janë fjalët e tij, – Ne besojmë se mund të dalim kampionë të botës, besojmë se e kemi potencialin dhe kemi ambicie, por duhet të vazhdojmë ta tregojmë këtë në fushë, edhe përballë një kundërshtari shumë të fortë si Franca”.
Bilanci në total është mië për belgët, por në botërorë Franca i ka fituar të dyja ndeshjet. Fitorja e Francës jepet me kuotën 2.5, suksesi i Belgjikës vlerësohet 3.1, dhe barazimi 3.2..
Sfidanti.al