Belgjika duket e vogël, sa shumë shkëlqim francez në gjysmëfinalet e Botërorit!

Le ta nisim me më të voglën. Kjo është padyshim Belgjika, që mbërriti thjesht për herë të dytë mes katër më të mirëve në Kupën e Botës. Përpara brezit të De Brujnit, Hazarit apo Lukakut, ia ka dalë gjenerata e madhe e Këlemansit, Pfafit apo Vanderbergut.

Pasi provuan surprizën në 1982, pa ia dalë dot, shpërthyen katër vjet më vonë në 1986, duke arritur deri në gjysmëfinale, me sukses pas suksesi. U ndjenë kampionë, pasi i eleminoi vetë Diego Armando Maradona.

Franca është krejt tjetër gjë, edhe pse jo ende një Brazil, Gjermani apo Itali. Historia e saj nisi në 1958 kur skuadra e madhe e Fontenit dhe Kopasë u ndal vetëm në gjysmëfinale nga Brazili i adoleshentit Pele. U desh të kalonin 24 vjet, dhe në 1982, Franca pati një tjetër gjysmëfinale dramatike, besohet më dramatiket nga të gjitha ato që janë luajtur ndonjëherë, duke u eleminuar me penallti nga Gjermania Perëndimore.

Në Botërorin meksikan në 1986 ishte kulmi, me disfatën që iu shkaktua Brazilit të madh, edhe pse pas penalltive. Gjithsesi, në katërshe i doli përpara sërish “mallkimi gjerman”. U desh të vinte epoka e Zidanit që në 1998, Franca të arrinte gjysmëfinalen, kaluar për herë të parë me sukses ndaj Kroacisë, për të shkuar drejt titullit botëror.

Në 2006, ai brez pati “këngën e fundit”, me betejën ndaj Portugalisë, për të humbur dhimbshëm finalen me Italinë. Të shohim çdo të bëjë sot brezi i Mbapesë, Pogbasë e Grizmanit.

Sfidanti.al