Dakord që Çelsi ia jep Brojën Milanit, por sa do të vlejë kartoni?!

Me kombëtaren nuk pati ndonjë kënaqësi, por jeta vazhdon. Armando Broja, ashtu si gjithë lojtarët e tjerë kuqezinj, ishte i pasuksesshëm në duelet ndaj Islandës dhe Izraelit, e megjithatë lajmet e mira nuk mungojnë. Mediat europiane shkruajnë se emri i tij nuk është harruar, përkundrazi, dhe pas rinovimit të kontratës me Çelsin, vjen interesimi i Milanit. Jo vetëm kaq, por përtej planeve të kuqezinjve për verën e ardhshme, edhe Blutë e Londrës gjykojnë se ekziston mundësia që Broja të kalojë në Serinë A. Sulmuesi 21-vjeçar cilësohet i transferueshëm edhe pse hodhi firmëm vetëm pak javë më parë në akordin që pritej ta mbante në “Stemford Brixh” deri në 2028.

Nuk thonë kot se kontratat bëhen për t’u ndryshuar, dhe Çelsi mund të pranojë 30 milionë euro të italianëve për kartonin e shqiptarit. Gjithsesi, shifra mund të ndryshojë në varësi të sezonit që futbollisti do të ketë në Angli. Sipas mediave, tek Milani mendojnë se Broja përshtatet plotësisht me filozofinë e klubit, pasi është lojtar i ri në moshë, i talentuar dhe i fortë fizikisht. E qartë që në Lombardi nuk i kanë harruar golat shumë të bukur që ai shënoi edicionin e kaluar tek Sauthemptoni në Premier Ligë dhe në Kupën e Anglisë.

Sfidanti.al