Kur përplasen dy vezë, njëra do të thyhet. Ishte Spanja ajo që triumfoi në finalen e vërtetë të Ligës së Kombeve, edhe pse në fushën e Portugalisë, dhe siç ndodh shpesh në futboll, ia doli ekipi me kujtesën më të gjatë. “Furitë e kuqe”, që mbanin veshur një fanelë që ka dalë kampione e botës dhe tri herë kampione e Europës, e patën më të domosdoshme suksesin dhe e arritën. Përballë tyre ishte një ekip jashtëzakonisht i talentuar, me yje si Kanselo, Dias, Bruno Fernandes, Zhota, Bernardo Silva, Rafael Leao, Zhoao Feliks dhe Kristiano Ronaldo. Gjithë ky potencial nuk mjaftoi edhe pse “luzitanët bënë më shumë, sidomos në zotërim topi, dhe krijuan mjaft raste. Për fat të keq, u ndaluan nga portieri spanjoll Simon dhe nga mbrojtja mike, ndërsa Spanja goditi në fund.
Goli përcaktues pati autor Alvaro Moratën, dhe aksioni u ndërtua nga të tjerë, por ndeshja u zgjidh në favor të spanjollëve vetëm pas aktivizimit të yjeve të Barcelonës, Buskets, Pedri e Gavi. Trajneri Luis Enrike foli për një parandjenjë. “Ne arritëm për herë të dytë në fazën finale, dhe kjo është një lumturi e madhe, sidomos për tifozët tanë, – tha tekniku, – Portugalia është një skuadër e nivelit më të lartë të mundshëm. Në pjesën e parë deshëm të mbanim topin dhe ia dolëm, ndërsa pas pushimit ishte më e vështirë, por unë ndjeva se do ta shënonim golin vendimtar. Jam i lumtur që kam lojtarë kaq të mirë, kemi ambicie për në Katar, edhe pse do të jetë e vështirë të përzgjedh 26 për në Botëror”. Në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, përveç Spanjës janë edhe Kroacia, Holanda e Italia.
Sfidanti.al