Shumë “konservatore” Euroliga e basketbollit të meshkujve. Fenerbahçe e Stambollit dhe CSKA e Moskës, finalistët e vjetshëm, u kualifikuan sërish për në fazën katërshe finale. Sukses shumë i madh i turqve që ia dolën të eleminonin një ekip me jashtëzakonisht shumë përvojë si Panathinaikosi, madje duke mos pasur favorin e faktorit fushë. Pasi fituan dy përballje radhazi në Athinë, stambollinjtë e trajnerit më të famshëm të Europës, Zheljko Obradoviç, siguruan biletën gjysmëfinale me suksesin 79-61.
Nuk është aspak gjë e vogël pasi “Final Four” këtë sezon do të luhet pikërisht në Stamboll, dhe Feneri mund ta fitojë më në fund, titullin e parë kampion të Europës në histori. Gjashtë lojtarë vendas shënuan më shumë se 10 pikë, mbi të gjithë amerikani Bobi Dikson me 13. Për Panathinaikosin, më i miri ishte amerikani tjetër, Rivers, me 16 pikë dhe Singëllton me 12.
CSKA nuk e pati aspak të lehtë, por ia doli në Spanjë ndaj Baskonias. Në Pallatin e Sportit të Vitorias, në vendet baske, rusët fituan një ndeshje dramatike me shifrat 90-88 dhe krejt serinë çerekfinale 3-0 me fitore. Ndeshja e dytë në Moskë ishte fituar 84-82, ndërsa në total në tri ndeshje, CSKA pati epërsi me vetëm 12 pikë, kaq e fortë ishte skuadra spanjolle. Amerikani Higins shënoi 21 pikë për rusët, serbi Millosh Teodosiç shtoi 13 dhe Nando De Kolo 15 pikë e 5 asistë. Për Baskonian, më i miri ishte Tornike Shengelia me 19 pikë.
Mbeten, ndërkaq, për t’u luajtur edhe ndeshjet e treta të çifteve Darushafaka-Real Madrid (1-1) dhe Anadolu Efes-Olimpiakos (1-1). Ekziston mundësia në Katërshja finale në Stamboll të diskutohet mes 3 ekipeve turke dhe CSKA-së së Moskës.
Sfidanti.al