Ende vazhdojnë komentet për derbin e madh spanjoll, “El Klasiko”, mes Realit të Madridit dhe Barcelonës (2-3), sidomos, për disa nga episodet e saj dhe, në radhë të parë, për faullet që u shkaktuan ndaj lojtarit kryesor të ekipit katalonjas, Lionel Mesi. Viktima kryesore e momenteve më problematikë të ndeshjes ishte Mesi që, në disa raste, ishte objektivi kryesor i Kasemiros që, sidoqoftë, arriti që t’i shmanget marrjes së kartonit të kuq, të Marselinos që, në fakt, jo qëllimisht e nokautoi dhe e bëri me gjak atë (Mesin) dhe, në fund, të mbrojtësit kryesor madridas, Serhio Ramos, që i ndërhyri rëndë me dy këmbë Mesit, duke marrë me të drejtë kartonin e kuq.
Trajneri i dikurshëm i ekipit “mbretëror”, Fabio Kapelo, konsideron se vendimi i gjyqtarit kryesor Alehandro Hose Ernandez ishte i drejtë, ndërkohë që ky specialist i njohur italian shkon edhe më tej, duke i akuzuar lojtarët e Realit se ata, qëllimisht, donin që ta dëmtonin Mesin. “Sa herë që ‘El Klasiko’ luhet në ‘Santiago Bernabe’, lojtarët e Realit synojnë që ta nxjerrin jashtë loje Mesin. Shikoni ndërhyrjen e Ramosit, shikojeni miri, ai ishte një faull i pastër, një akt kriminal dhe arbitri bëri mirë që nxori kartonmin e kuq”, tha Kapelo që e mbuloi “El Klasikon” si komentator i kanalit “Foks Sports Italia”. Sfidanti.al