Courtois i kthehet Simeones: Jam lodhur nga këto vajtime të vazhdueshme

Diego Simeone ngriti polemika lidhur me vendimin e arbitrit për të mos e quajtur të vlefshme penalltinë e Julian Alvarez, duke u kërkuar gazetarëve të pranishëm në konferencë nëse ndonjëri prej tyre e kishte parë me të vërtetë prekjen e dyfishtë të lojtarit të tij. Thibaut Courtois, ish-lojtar i Simeones tek Atletico dhe tani portier i Real Madridit, reagoi me njëfarë zhgënjimi, duke kritikuar “viktimizimin” e trajnerit argjentinas. “Penalltia e Alvarez? Jam lodhur nga ky vajtim i vazhdueshëm për situata të tilla. Arbitrat nuk duan të favorizojnë asnjë ekip, qoftë në Spanjë apo në Europë. Ata e morën vendimin e tyre qartë. Nëse je në avantazh 1-0 që në minutën e parë dhe nuk përpiqesh të shënosh golin e dytë, është faji i strategjisë tënde,” – deklaroi Courtois. Lidhur me vendimin e arbitrit, ai shtoi: “Pata përshtypjen se kishte një prekje të dyfishtë dhe ia komunikova arbitrit. Nuk ishte e lehtë për t’u parë dhe mund të themi se ishin të pafat. Ne nuk luajtëm ndeshjen tonë më të mirë, por në fund ajo që ka rëndësi është kualifikimi.” Në fund, ai ndau detaje mbi përgatitjen për penalltitë: “Kemi folur shumë për këtë mundësi. Gjithçka varet nga sulmuesi. Sorloth kishte ndryshuar drejtimin herën e fundit dhe mendova se do ta bënte edhe sot. Me Alvarez kisha dyshime, nuk besoja se do të godiste në qendër. Për Llorente nuk kishim informacion, por mbaja mend nga stërvitjet se preferonte të gjuante në të djathtë dhe përfundoi duke e dërguar topin jashtë.”

sfidanti.al