Ish-basketbollisti Oliver Miller u nda nga jeta këtë të mërkurë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë (kancer), sipas njoftimit të Shoqatës së Lojtarëve të NBA-së. 54-vjeçari luajti në NBA për nëntë sezone, duke kaluar te Phoenix Suns, Detroit Pistons, Toronto Raptors, Dallas Mavericks, Sacramento Kings dhe Minnesota Timberwolves. Miller, i njohur si ‘Big O’, konsiderohej si lojtari me peshën më të madhe që kishte luajtur ndonjëherë në NBA. Pasi shkëlqeu në Universitetin e Arkansas, ai nisi karrierën profesionale me një peshë prej 127 kg, por me kalimin e viteve e rriti mbi 170 kg. Shaquille O’Neal ka rrëfyer në një intervistë se Miller mbërriti në një fazë parasezonale duke kaluar 180 kg. Miller ishte 2.06 metra i gjatë, dhe me gjithë trupin e tij të fuqishëm, ai lëvizte me lehtësi në parket. Aftësia e tij për të lexuar lojën e ndihmoi të zhvillonte një karrierë me 493 ndeshje në NBA, duke regjistruar mesatarisht 7.4 pikë, 5.9 kërcime, 2.2 asistime dhe 1.5 bllokime për ndeshje. Miller u zgjodh nga Phoenix Suns në vendin e 22-të në Draftin e vitit 1992, të njëjtin vit kur Shaq u zgjodh në vendin e parë. Në sezonin e tij të parë, ai arriti finalen e NBA-së me Suns, por humbi kundër Bulls të Michael Jordan në garën për titullin. Gjatë ndryshimeve të tij të shumta në ekipe, ai ishte pjesë e skuadrës së parë të Toronto Raptors, që debutoi në NBA në 1995. Klubi kanadez dhe Universiteti i Arkansas shprehën ngushëllimet e tyre për ndarjen e tij nga jeta përmes mesazheve në rrjetet sociale.
sfidanti.al