Në stadium dhe jashtë tij u duk një festë. Padyshim, atmosfera në Tiranë ishte e shkëlqyer në prag dhe gjatë finales së Ligës së Konferencës, por një hetim fare i thjeshtë të bën të kuptosh probleme aspak të vogla. Nga ata mijëra tifozë holandezë që ishin në Pedonalen e kryeqytetit, disa nuk e patën aspak si zgjedhje të tyre, apo sepse biletat ishin vetëm kaq. Bileta pati në shitje në treg të zi, por çmimi i tyre arriti në përmasa të tilla, deri në 750 apo edhe 4500 euro, që nuk mund të përballoheshin.
-A do ta shohësh ndeshjen në stadium, – u pyet një tifoz. “Jo”. -Pse jo? “Sepse ishte shumë shtrenjtë. Unë kam 8 vjet që e ndjek Fejënordin. Në fillim u bë gabim nga UEFA. Ne jemi 2000 tifozë në Tiranë që deshëm një biletë”. -A jeni i lumtur që do ta shikoni ndeshjen këtu? “Jo, sepse unë kam shume vjet që ndjek çdo ndeshje të Fejënordit. Tetë vjet, 10 vjet. Kam ndjekur çdo ndeshje në shtëpi, po ashtu edhe jashtë fushe, por këtë herë nuk gjeta biletë”.
Si përfundim, në stadium pati saktësisht 18 012 shikues, ndërsa 1488 vende ishin bosh. Me gjasë, ata shqiptarë që i patën biletat nuk morën mundimin as për të shkuar në Arenë, pasi thjesht donin të merrnin fitimin. Kur rreth 7% e vendeve janë bosh në një stadium me kapacitet rreth 20 000 stola, ky është një problem i madh.
Jo vetëm kaq. Në Arenë pati çmime të çmendura për produkte si 250 lekë uji, 350 pije të gazuara apo patatinat, dhe deri 700 lekë një gotë birrë apo për ushqimin e shpejtë si hot dogun. Edhe më i rëndë ishte fakti se këto produkte u shitën pa kupon tatimor, të paktën siç pohuan disa nga spektatorët që ishin në stadium.
Sfidanti.al