Suksesi i fundit ishte me pak pikë dhe në fushë kundërshtare. Sëlltiksat e dinë se mbrojtja e tyre mund të jetë “arma” kryesore e tyre ndaj skuadrave rivale, dhe pasi këtë e provoi Miluoki kampion në fuqi, po e ndjen edhe Majemi Hit. Pikërisht në Floridë, Bostoni ia doli 93-80, në një ndeshje jo edhe aq tipike të NBA-së, ku ekipet synojnë sulmin, dhe që më shumë i afrohej Euroligës. Xhejlën Braun shënoi 25 pikë dhe Xhejzën Tatëm shtoi 22, me Sëlltiksat që janë vetëm një fitore larg finales së madhe të basketbollit amerikan. “Mendoj se mbrojtja jonë shpesh shkakton stres dhe lodhje tek ekipet rivale, – thotë trajneri Udoka, – kjo na ka ndihmuar për t’u kualifikuar”. Tatëm pati edhe 12 topa në tabela e 9 asistë duke qenë shumë pranë tripëll dabëllit, ndërsa Al Horfordi shënoi 16 pikë dhe Derrik Uajt shtoi 14 të tjera. Majemi pati realizim vetëm 32 për qind në gjuajtje me Xhimi Batlerin që realizoi vetëm 13 pikë. Adebajo ishte më i miri për vendasit me 18 pikë e 10 topa në tabela. Floridasit nuk patën të dëmtuarin Tajlër Herro, ndërsa disa lojtarë patën probleme. Ndeshja e gjashtë luhet në Boston duke u gdhirë e shtuna sipas orës shqiptare dhe Sëlltiksat kualifikohen nëse fitojnë.
Sfidanti.al