Cila është “adrenalina” e Liverpulit për finalen? Që Salah qendron vitin tjetër!

Sulmuesi egjiptian e tha më në fund atë fjalë që donin ta dëgjonin të gjithë tifozët e kuq. “Unë do të jem këtu sezonin e ardhshëm, – tha Mohamed Salahu, – kjo është e sigurt. Vitin që vjen unë do të mbetem tek Liverpuli”. Futbollisti 30-vjeçar është në bisedime prej 12 muajsh me klubin për rinovimin e kontratës që i përfundon në 2023, pra i mbetet edhe 1 sezon. Pritet që Salahu të firmosë akordin e ri, pasi nuk besohet se ai do të largohet me parametër zero verën e ardhshme. Gjithsesi, ai foli më shumë për finalen, sesa për të ardhmen. “Kryesorja është ndeshja e Championsit ndaj Realit, – tha ai, – ne jemi të gjithë duke menduar vetëm për këtë. Shpresoj që ta fitojmë, shpresoj që Hendo (kapiteni Henderson) ta ngrejë trofeun dhe të ma kalojë edhe mua”. Salah është gati fizikisht për finalen, dhe shpresohet që edhe Van Dajf, Fabinjo dhe Tiago Alkantara të kalojnë problemet për të luajtur ndaj Realit.

Sfidanti.al