Cili është plani për titull i Kontes? Ai që të mos ketë një plan

Kombinimi i rrethanave nuk mund të quhet edhe aq i keq, ndërsa tani fillon vrapimi përfundimtar. Interi arriti 8 fitore radhazi në Serinë A, nga 30 janari deri në 14 mars, por pastaj erdhi ndërprerja e ndeshjeve të kombëtareve, e bashkë me të edhe goditja e Kovidit. Një plus dhe një minus, me një fjalë, ndërsa trajneri Antonio Konte nuk do t’ia dijë për këto gjëra. Ai vazhdon t’u thotë lojtarëve të tij në mënyrë manjake se “ne duam titullin, dhe vetëm kjo gjë duhet menduar”.

Mediat italiane po pyesin se cili është plani i Kontes për 10 ndeshjet e mbetura të kampionatit, ndërsa diferenca me Milanin është 6 pikë (por, me Interin që ka një ndeshje për të luajtur). Përgjigja është që nuk ka asnjë plan, por që duhen marrë ndeshjet me radhë. Zikaltërit kanë 3 sfida në 8 ditë, nga 3 prilli deri në 11, dhe flitet për Bolonja-Inter, Inter-Sasuolo dhe Inter-Kaljari. Duhen fituar këto sfida për të mos pasur probleme kur të vijnë ndeshjet e vështira si Napoli-Inter (18 prill), Inter-Roma (12 maj) e Juventus-Inter (16 maj). Lajmet janë të mira për Kovidin sepse mungesë mbeten vetëm D’Amrozio e Vidal, ndërsa gjithë të tjerët i kanë tamponët negativë.

Sfidanti.al