E përditshmja “Bild” realizoi një sondazh me përmasa të mëdha dhe rezultati ishte më shumë se i qartë. Nga mbi 250 000 votues të këtij sondazhi, lidhur me fatin e trajnerit të kombëtares, plot 87 për qind e tyre u deklaruan në favor të largimit të Joakim Lëvit para Kampionatit Europian. Vetëm 13 për qind kishin ende besim se tekniku duhet ta drejtojë “national manshaftin” në fazën finale europiane për të dalë pastaj në “pension”.
Një nga specialistët e futbollit, ish-ylli i Hamburgut në fushë dhe në stol, Feliks Magat, është dakord me publikun. “Pas ndeshjes së fundit, – thotë ai, – u bë e qartë se duhet një ndryshim në kombëtare. Europiani është shumë i rëndësishëm që thjesht të lutemi që gjërat të shkojnë mirë. Mendoj se Lëvi duhet të largohet dhe në vend të tij të jetë Hansi Fliku. Bajerni duhet të pranojë që të paktën në Europian duhet të jetë Fliku në stol pasi e njeh më mirë kombëtaren dhe lojtarët”.
Sfidanti.al