“Zonja e Vjetër” mburret me shumë rekorde në Itali dhe me disa rezultate të nivelit sipëror në Europë. Flasim për Juventusin, i cili është veçuar sërish nga mediat europiane pasi janë hulumtuar disa statistika dhe janë bërë disa llogari. Është e vështirë që një brez i vetëm të nxjerrë një numër shumë të madh trajnerësh vite më vonë, por pikërisht këtë ka bërë brezi i Juventusit i vitit 2001.
Në atë skuadër (që, në të vërtetë, e fitoi titullin me polemika ndaj Interit në 2002), ishin plot 14 futbollistë që tani vazhdojnë karrierën në stol. Më të shquarit e tyre me siguri janë Antonio Konte dhe Zinedin Zidan, por trajnerë janë edhe Alesio Takinardi, Igor Tudor, Filipo Inzagi, Xhanluka Xambrota, Edgar Davids, Paolo Montero, Çiro Ferrara, Xhanluka Pesoto, Mikelanxhelo Rampula, Marko Xanki, Atirson dhe Huan Esnaider. Trajner i asaj skuadre ishte Karlo Ançeloti, ndërsa më pas erdhi Marçelo Lipi.
Pesoto drejton ekipin e të rinjve të Juves, Ferrara është në Kinë, Montero në Argjentinë tek Rozario, Davids provoi dy vjet tek Barnet në ligën e tretë angleze, Xambrota në Indi tek Dehli Dinamos, Inzagi drejtoi Milanin, Tudor ishte tek Hajduku ndërsa tani tek Gallatasaraj. Padyshim, veçojmë Konten e Çelsit (më parë tek Juventusi dhe Italia), si dhe Zidanin e Realit.
Sfidanti.al