Championsi dhe menaxheri Ramadani i dhanë Hasit, Olimpiakosin

Besnik Hasi pati konkurrencë të fortë për stolin e Olimpiakosit. Shqiptari i Kosovës ia doli të linte pas periudhën e keqe tek Legia e Varshavës, dhe të bindte drejtuesit e klubit më të madh grek që t’i besonin skuadrën. Të shtunën, ditën e finales së Championsit, u arrit marrëveshja me kampionët e Greqisë, dhe Hasi drejton gishtin se grupet e Championsit, si arsyeja që iu dha kontrata e dëshiruar.

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare luajti në fazën e grupeve, ndërsa ishte trajner i Anderlehtit, madje mbahet mend për reagimin e madh në “Emirejts” ndaj Arsenalit, ku belgët morën barazimin 3-3 duke qenë në humbje 0-3.  Po ashtu, Hasi luajti në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve edhe me Legian.

I shpallur edhe kampion në 2014 me Anderlehtin, 45-vjeçari pati kredenciale të mira, veçse si gjithnjë duhet edhe një menaxher i mirë. Një tjetër shqiptar i Kosovës, tepër i njohuri Fali Ramadani, e ndihmoi mjaft. Ramadani është “dhelpër e vjetër” në futboll dhe ka lidhje shumë të mira me presidentin e Olimpiakosit, Vangjelis Marinaqis. Pasi i siguroi të ardhura të rëndësishme grekëve me transferimin e Luka Milivojeviçit te Kristal Palasi në Premier Ligë, ai u gjeti atyre edhe trajnerin.

Sfidanti.al