Kupa e 12-të e kampionëve është vendosur në kabinetin e trofeve dhe festa ka përfunduar. Kështu është tradita në klubin e futbollit besohet më shumë të traditës në botë. Ashtu si parulla e famshme e monarkisë franceze “mbreti vdiq, rroftë mbreti”, edhe madrilenët thonë “fitoret u harruan, përpara për fitore të reja”.
Presidenti Florentino Perez dhe trajneri i tij, Zinedin Zidan, janë ulur për të biseduar dhe duket se kanë skicuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Nuk pritet të ketë shumë ndryshime, por gjithsesi, lëvizje do të ketë. Veprimi i parë ishte rinovimi me Zidanin, dhe francezi ka hedhur tashmë firmën në kontratë deri në vitin 2020. Hapi i dytë, tepër i rëndësishëm, ishte rinovimi me kapitenin Sergio Ramos deri në vitin 2021. Në radhë pret rinovimi edhe për Iskon, që nuk do të largohet nga Madridi.
Të piketuarit për t’u larguar janë Hames Rodrigez, Pepe dhe Mariano. i pari dëshiron vetë që të ikë, ndërsa nuk është edhe aq në planet e Zidanit, veçse ka një problem, pasi Reali kërkon 75 milionë euro nga klubi që kërkon ta marrë. Janë paratë që i pagoi Monakos kur ia bleu kartonin. Pepe po ashtu nuk pritet të jetë sezonin tjetër. Mbrojtësi portugez, dikur një nga kapitenët, i ka prishur marrëdhëniet me trajnerin të cilin e ka sulmuar publikisht. Mariano, ndërkaq, është i ri, dhe i duhen minuta për të luajtur, gjë që nuk ia garanton Reali.
Në “Bernabeu” do të vijnë Teo Hernandez nga Atletiko (për 24 milionë euro) si dhe Markos Jorente nga Ajntrahti i Frankfurtit (21 vjeç). Ky i fundit do të jetë zëvendësuesi i Pepes në mbrojtje.
Goditjet e mëdha mund të jenë David De Gea dhe Kilian Mbape, por ndoshta për ato duhet të pritet pak.
Sfidanti.al