Real, Junajtid apo Juventus? Çfarë po ndodh me Donarumën?!

Xhixho Donaruma duket gjithnjë e më larg Milanit. Edhe pse tifozët i janë lutur që të tregojë besnikërinë me fakte, edhe pse në klub kanë mbërritur milionat nga Kina, duket se portieri i ri nuk do të ketë durim që të presë. Një gjigand i tillë i portës, që për më tepër menaxhohet nga një prokurator i madh si Mimo Raiola, është kthyer në një ankand të hapur për elitën e Europës.

Mediat spanjolle shkruajnë se Raiola ia ka ofruar Donarumën pikërisht Realit, ndërsa Zhoze Murinjo e kërkon me ngulm tek Mançester Junajtid. Nuk është i fshehtë plani i Juventusit për ta pasur portierin e ardhshëm të Italisë në radhët e veta, si një zgjidhje afatgjatë pas largimit të Xhanluixhi Bufonit.

Gjithsesi, ka dy “nyje” që duhet të zgjidhen. Së pari, Reali dhe Junajtid janë në pritje të përfundimit të “telenovelës De Gea”. Portieri i Spanjës duhet të shkojë tek Reali, i cili ka bërë gati ofertën, por transferimi ende nuk është i sigurt. Nëse De Gea shkon në Madrid këtë verë, Murinjo do ta kërkojë menjëherë Donarumën, nëse jo, mund të jetë Reali që mund të hyjë në lojë.

Në Spanjë thuhet megjithatë se madrilenët do të donin që Donaruma të vazhdonte edhe një sezon tek Milani, sepse situata është e ngatërruar për shkak të formës shumë të mirë të Kejlor Navasit, portierit titullar të Realit. Me kontratën që i përfundon në 2018, gjithsesi, Milani nuk mund të presë gjatë. Ose Donaruma duhet të rinovojë tani, ose duhet të largohet këtë verë, që klubi milanez të përfitojë nga kartoni i tij.

Sfidanti.al