Champions, të mëdhenjtë bëjnë ligjin … përjashton Sitin!

Ishte çudia më e madhe e ndeshjeve të para, dhe ndoshta do të mbetet tronditja numër 1 e gjithë fazës së grupeve. Mançester Siti u mund në stadiumin e vet nga Lioni francez, në një tjetër zhgënjim europian, veçse këtë herë që në fillim fare. Që Championsi nuk është arena më e pëlqyeshme për “Qytetarët” e Mançesterit kjo dihej, por jo që ta pësonin në start, në shtëpi dhe nga një ekip si Lioni. Me gjithë respektin, është larg Paris SG, që një ditë më parë e pësoi me hak në Angli, në stadiumin e Liverpulit. Korne dhe Fekir shënuan për miqtë, përpara sesa Bernardo Silva të jepte pak shpresë (por, të gënjeshtërt) në pjesën e dytë.

Gjigandët e tjerë fituan qetësisht. Reali, kampion i Europës në fuqi, nuk e pati aspak problem të thyente Romën disi të çoroditur të këtij sezoni. Vështirësia për madrilenët e Lopetegit ishte derisa gjetën rrjetën me Iskon në minutën e fundit të pjesës së parë. Pas pushimit, sipas parimit të Lopetegit “toka është lavë e nxehtë”, Reali qarkulloi topin shpejt dhe vertikalisht duke realizuar edhe me Bejlin dhe Diazin.

Juventusi, pavarësisht përjashtimit të Ronaldos me të kuqe, dominoi në fushën e Valencias. Spanjollët janë larg nga kohët e mëparshme dhe italianët bënë ligjin edhe me 10 vetë. Dy herë shënoi Miralem Pjaniç, të dy golat me penallti, por fitorja juventine ishte e merituar, ndërsa u humbën raste nga Manxhukiç apo të tjerë.

Bajerni, një tjetër pretendent serioz për Championsin, tregoi autoritetin e madh në një stadium të lavdishëm si “Estadio da Luz” i Lisbonës, ndaj Benfikës vendase. Robert Levandovski në 10’ dhe shumë bukur portgezi Renato Sançez, ishin autorët e golave.

Mançester Junajtid sikur i bëri magji vetes, veçse në anën pozitive. Murinjo u tremb kot nga fusha me bar sintetik e Jang Bojsit, sepse “djajtë e kuq” nuk pyetën për llojin e barit. Në një ndeshje jo edhe aq të lehtë, Pol Pogba shënoi me “raketë” nga larg, pastaj një penallti e dyshimtë “vrau” ndeshjen në fund të pjesës së parë. Në 66’, Antoni Marsial vulosi rezultatin.

Grupi E: Ajaks-AEK 3-0, Benfika-Bajern 0-2

Grupi F: Shahtar-Hofenhajm 2-2, Man. Siti-Lion 1-2

Grupi G: Real Madrid-Roma 3-0, Plzen-CSKA Moskë 2-2

Grupi H: Valencia-Juventus 0-2, Jang Bojs-Man. Junajtid 0-3