Edhe legjendat e dikurshme nuk po dinë t’ia venë emrin. Geri Nevil mbeti shumë konfuz pas katastrofës së Mançester Junajtidit në fushën e Evertonit, duke thënë herë që “skuadra duhet të ndërtohet rreth Pogbasë”, por edhe “kur në kopshtin tënd rriten barërat e këqija, duhet t’i shkulësh”. Kush janë “barërat” e këqija që duhet të shkulë trajneri Ole Gunar Solskjer për të shpëtuar “kopshtin” e tij?
Vështirë ta thotë kush dhe trajneri norvegjez duhet të ketë një plan të saktë për të shpëtuar të ardhmen e Junajtidit. Disfata 0-4 ishte nga ato të papranueshmet dhe rrezikoi seriozisht kualifikimin e “djajve të kuq” në Champions sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, Solskjeri ishte i furishëm në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Unë do të jem i suksesshëm këtu, por disa lojtarë nuk do të jenë me mua sezonin e ardhshëm, – u thirri ai gazetarëve, – kush dëshiron të luajë për këtë klub, duhet të bëjë më shumë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve, i lamë në baltë dhe i mërzitëm shumë”. Problemi kryesor i Junajtidit duket se lojtarët vrapojnë më pak se ata të skuadrave të tjera, më pak ser 15 nga 17 kundërshtarët në ndeshjet nën drejtimin e Solskjerit. “Ne nuk kemi lider në fushë”, – ishte deklarata e qartë e serbit Nemanja Matiç”.
Për fat, Totenhemi humbi të shtunën dhe Arsenali pësoi po ashtu një katastrofë duke u mundur 2-3 në fushën e tij me Kristël Palasin. Për momentin, renditja për Championsin sheh Totenhemin në vend të tretë me 67 pikë, pastaj Arsenalin e Çelsin me nga 66 dhe Junajtidin me 64. Vetëm dy nga këto katër skuadra kualifikohen, bashkë me Liverpulin dhe Sitin. Xhemi Karrager, ish-ylli i Liverpuli, ishte më i qartë sesa Nevili. “Hiqni qafe lojtarë si Pogba dhe De Gea, që nuk duan të qendrojnë këtu”, – tha ai. Kjo ishte humbja e 7-të e Junajtidit në 9 ndeshjet e fundit, gjë që tregon qartë se “djajtë e kuq” kanë bërë një regres të tmerrshëm.
Sfidanti.al