Çfarë do të thotë ky rekord i Liverpulit ndaj Mançester Junajtidit?!

Asnjë tifoz i të kuqve, as ai më i çmendur “i krejtve”, asnjë analist dhe askush nuk mund ta kishin imagjinuar se kjo gjë mund të ndodhte. Jo vetëm në këtë moment, kur Mançester Junajtidi shkonte si favorit në “Anfild”, por në asnjë çast tjetër të këtij sezoni apo të ndonjë tjetri. Një fitore 7-0 e Liverpulit ndaj skuadrës me më shumë tituj në Angli, që sapo kishte fituar Kupën e Ligës, kishte eliminuar Barcelonën nga Europa dhe pak kohë më parë kishte fituar derbin ndaj Mançester Sitit, nuk mund të ndodhte.

Edhe tani, kur shohin rezultatin, shumica e njerëzve ende besojnë se duhet të jetë ndonjë gabim teknik. Aq i madh ka qenë zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj Liverpulit të trajnerit Jurgen Klop, që kanë qenë një hije krejtësisht e zbehtë e vetvetes këtë stinë sportive. Gjithsesi, e papritura më e madhe e Premier Ligës ndodhi dhe nënkampionët e Europës (e të Anglisë) treguan se jo vetëm nuk kanë vdekur, por edhe sepse kanë kaq shumë potencial në vetvete saqë mund të jenë të frikshëm në momentin e tyre më të mirë.

Kodi Gakpo, Daruin Nunjez e Mohamed Salah shënuan nga 2 gola, përpara sesa Roberto Firmino të shtonte të fundit në 88’. Pas 1-0 në 45 minuta, të kuqtë shkatërruan Junajtidin pas pushimit me 6 goditje në shenjë. E vërteta është se Liverpuli ishte më mirë, mbajti topin 60 për qind dhe gjuajti drejt portës 14 herë ndaj 6 të kundërshtarit. Gjithsesi, efikasiteti ishte i jashtëzakonshëm me 7 gola në 8 gjuajtje në kuadrat! Duhet theksuar se në ndeshjet e kaluara, ekipi i Klopit kishte krijuar shumë raste, por nuk kishte shënuar golat. Nëse gjen saktësinë, ai kthehet në vdekësor. Me këtë fitore, Liverpuli i ka të gjitha mundësitë që të pretendojë për kualifikim në Champions sezonin e ardhshëm, ndonëse do të duhet vazhdimësi, ndërsa ka 42 pikë në 25 ndeshje në vend të pestë, Totenhemi ka 45 pikë në 26 ndeshje dhe Njukasëlli 41 pikë në 24 ndeshje.

Sfidanti.al