Formula 1 e ka gjetur “pronarin e ri”, është Verstapeni me Red Bull!

Fitorja në pistën e Bahreinit, në garën e parë të sezonit, ishte si ato shkatërrueset të arritura dikur nga Mikael Shumaheri, apo së fundmi nga Ljuis Hamiltoni. Maks Verstapen duket se është krijuar për të synuar rekordet e Formula 1, që mbahen pikërisht nga dy legjendat e përmendura më lart, dhe e nisi me shkëlqim të plotë sfidën për mbrojtjen e titullit botëror të fituar dy herë radhazi. Piloti holandez i Red Bullit dominoi duke lënë prapa 12 sekonda shokun e tij të skuadrës, Sergio Perez, ndërsa makina austriake duket e pakapshme.

Në vend të tretë veterani 41-vjeçar Fernando Alonso me makinën e tij Aston Martin, por që përfitoi nga tërheqja e Ferrarit të Sharl Lëklerkut. Shtatë herë kampioni i botës, Hamilton, doli vetëm i pesti me Mercedesin që nuk bindi aspak dhe që mbeti 51 sekonda prapa Verstapenit. Një ditë e madhe për Red Bullin dhe Aston Martinin, ndërsa Ferrari e Mercedesi duket se për momentin janë “për t’u hedhur në kosh”. Verstapen kryeson me 25 pikë ndaj 18 të Perezit dhe 15 të Alonsos.

Sfidanti.al