Çfarë bën Sampaoli, Dibala nuk luan dhe Argjentina rrezikon!

Horge Sampaoli është një trajner shumë i mirë. E ka treguar veten në nivele të larta me Kilin dhe Seviljen, por siç duket nuk e paska të lehtë të drejtojë Argjentinën. Në përballjen për jetë a vdekje në “La Bombonera” ndaj Perusë, skuadra e tij nuk ia doli të fitonte dhe barazimi 0-0 i mvishet shumë edhe zgjedhjeve të tij.

Pasi la jashtë ekipit Gonzalo Higuainin e Juventusit, ai vendosi të linte në stol dy lojtarë shumë në formë si Paulo Dibalën po të Juventusit dhe Mauro Ikardin e Interit. Në rolin e sulmuesit, në krah të Mesit, ishte lojtari i Boka Juniorsit Dario Benedeto, ndoshta meqë ndeshja po luhej në stadiumin e Bokës. Kjo doli fiasko dhe argjentinasit nuk arritën dot të ishin të rrezikshëm sa duhet ndaj një Peruje që u mbrojt.

Askush nuk mundej të akuzonte Mesin, pasi ai ishte i vetmi që mori për dore skuadrën, por mbeti vetëm dhe pa mbështetje. Argjentinës i duhet të shkojë e të fitojnë në fushën e Ekuadorit, në stadiumin e kryeqytetit Kito me shumë pak oksigjen, ndryshe eleminohet. Shanset më të mëdha janë që të shkojë në plej of, ndërsa eleminimi do të ishte hera e parë që nga Kupa e Botës 1970 në Meksikë.

Sfidanti.al