Xhorxh Formani mezi pret të ndeshet me “tradhtarin” Stiven Sigal!

Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë Xhorxh Formani legjendar po përpiqet që ta provokojë dhe ta sfidojë aktorin e njohur të Hollivudit, Stiven Sigal, në të njëjtën kohë, edhe mjeshtër i arteve marciale, që ai të pranojë të ndeshet me të në një ndeshje legjitime që mund të zhvillohet para publikut në Las Vegas.

Arsyeja kryesore se përse Formani është nxehur me Sigalin është, sepse aktori i njohur në fjalë, sikurse thuhet përgjithësisht, është shpërngulur në Rusi, ku, në fakt, atij iu dha kohët e fundit shtetësia ruse, është takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kritikon, herë pas here, qeverinë amerikane për politikën e jashtme që ajo ndjek, sidomos, kundrejt Rusisë.

Siç dihet, Stiven Sigali ka qenë personazh yll në filmat aksion në vitet ’90, ndërkohë që ka kohë që nuk ka luajtur në ndonjë film hit. Madje, kohët e fundit, ai ka marrë përsipër role në filma të lirë në Evropën Lindore. Qëndrimet politike të tij kanë ndryshuar në mënyrë drastike, duke u bërë, madje, edhe radikale, dhe, kështu, ai nga një patriot amerikan që ka shërbyer, vullnetarisht, si sherif policie, tani është shndërruar në një zëdhënës të Vladimir Putinit, gjë që shumë amerikanë, midis tyre edhe Xhorxh Formani, nuk mund t’ia falin atij.

Sfidanti.al