Çelsi i vendos çmimin kartonit të Brojës: Milan, duhet të paguash 35 milionë euro!

Kur je në elitë, asgjë nuk është e sigurt. E di mirë edhe Armando Broja, i cili ndodhet në një udhëkryq në karrierë dhe ky sezon pritet të jetë vendimtar për t’i dhënë zgjidhje. Sulmuesi i kombëtares shqiptare mund të largohet nga Çelsi, ndërsa klubi londinez i është përgjigjur interesimit të fortë të Milanit. Mediat angleze informojnë se trajneri i Bluve, Graham Poter, ka vendosur edhe çmimin e kartonit të sulmuesi 21-vjeçar, i cili është 35 milionë euro, apo rreth 30 milionë paundë stërlina. Poteri e vlerëson Brojën, por gjithsesi mendon se futbollisti shqiptar është i sakrifikueshëm kundrejt vlerës së duhur financiare, ndërsa Çelsi kërkon të kënaqë dëshirat e teknikut për përforcimet e së ardhmes.

Një produkt i Akademisë së Bluve të Londrës, ylli kuqezi është aktivizuar vetëm një herë si titullar këtë sezon, ndërsa shumicën e ndeshjeve i ka nisur nga stoli për të luajtur rreth 20 minuta në çdo sfidë. Ai e ka treguar disa herë veten të rëndësishëm duke shënuar edhe gol, duke fituar edhe penallti, e duke e shtuar fuqinë sulmuese të Çelsit. Vetë trajneri Poter është shprehur se është shumë i kënaqur nga Broja, e gjithashtu të kënaqur janë edhe drejtuesit e Milanit. Ata kanë pasur disa takime me anglezët dhe janë të gjitha gjasat që sulmuesi i kombëtares shqiptare të luajë me fanelën kuqezi sezonin e ardhshëm në Serinë A dhe në Champions.

Sfidanti.al