Kush thotë që Alexander Ceferin, UEFA apo Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s janë emra apo institucione që promovojnë promovimin dhe njerëzve e të rinjve, gabohet rëndë. Këtë herë nuk është fjala për presidentin e përjetshëm të FSHF-së që për mandatin e gjashtë pati mbështetjen e pakushtëzuar të njeriut që premtoi ndryshim në futbollin europian, Alexander Ceferin por për vetë këtë të fundit që synon ta mbajë fronin e tij sa më gjatë që të jetë e mundur.
Pasi përfitoi nga largimi i Michel Platini për shkak të akuzave për qarkullimin e parave të padeklaruara, slloveni (i shkathët) fitoi një mandat duke dalë nga hiçi dhe premtoi se do të respektojë statutin që parashikon qëndrimin e presidentit vetëm tre mandate, por pushteti po i shijon ish-djaloshit nga Ljubjana i cili kërkon të bëjë ndryshimin e famshëm në statut për ta zgjeruar nga 3 në 4 numrin e mandateve të presidentit të UEFA-s.
Njeriu që e kritikoi fillimisht shembullin e senatorëve në karriget e pushtetit të futbollit, sot është bërë praktikisht një “Blatter” në miniaturë. Ceferin duket se e ka marrë skenarin të gatshëm nga “Ferma e Kafshëve” të George Orwell pasi momentalisht po ushtron pushtetin e plotë në krye të UEFA-s ku ende pa nisur mirë rrugën e mandatit të tretë mendon për mesin e vitit 2027 ku do të kërkojë edhe një mandat të katërt që momentalisht është i pamundur por nëse 2/3 e 55 anëtarëve të UEFA-s do ta pranojnë këtë propozim, atëherë projekti bëhet fakt dhe Alexander Ceferin mund të hapë zyrtarisht rrugën për t’u bërë “faraoni” i radhës së futbollit europian.
Nga Pirro Bardhyli