Xhanluixhi Bufon fitoi edhe një tjetër vlerësim të madh në karrierë, dhe pikërisht tani që është pranë fundit. Portieri i Juventusit u shpall lojtari më i mirë i Serisë A për sezonin e kaluar, një kulm i jashtëzakonshëm për një futbollist që janarin e ardhshëm mbush 40 vjeç.
Fituesi i 23 trofeve në karrierë ka marrë edhe mjaft çmime të tjera, duke dalë 4 herë si portieri më i mirë i botës (2003, 2004, 2006, 2007), tri herë është shpallur portieri më i mirë i Europës (2003, 2016, 2017), ndërsa Instituti i famshëm IFFHS e ka shpallur si portierin më të mirë të shekullit të 21-të, dhe portierin më të mirë të 25 viteve të fundit.
Bufon u shpall edhe portieri më i mirë i Serisë A, sukses që e ka arritur 12 herë, prej të cilave 4 herë radhazi. Në 2017, Bufon doli i treti në renditjen e Topit të Artë të UEFA-s, në klasifikimin e lojtarit më të mirë të Europës.
Përveç Bufonit, edhe Juventusi pati sukses të madh për sezonin e kaluar në Serinë A. Plot 7 nga 11 lojtarët e formacionit më të mirë ishin juventinë, ndonëse këtë sezon Bonuçi ka kaluar tek Milani.
Formacioni i sezonit: Bufon, Bonuçi, Dani Alvesh, Aleks Sandro, Kulibali, Naingolan, Pjaniç, Hamshik, Mertens, Dibala, Higuain.
Sfidanti.al