Murinjon e kam bamirës, por dua ta mund, thotë trajneri i Uatfordit

Dhjetë muaj më parë Marko Silva realizoi një nga bëmë të madhe në Angli, duke i shkaktuar humbje Zhoze Murinjos. Portugezi “më pak i njohur”, mundi portugezin “më shumë të njohur”, dhe një skuadër e vogël si Hull Siti mposhti 2-1 Mançester Junajtidin e madh në Kupën e Ligës.

Marko Silvës i erdhi sërish rasti për t’u ndeshur me Murinjon, ndërsa është në pozita të tjera. Zhozeja i rekomandoi Markos që të pranonte detyrën e trajnerit të Uatfordit, pra në një farë mënyrë u bë bamirës apo këshillues i tij, por kjo nuk do të bëjë asnjë ndryshim përsa i përket garës.

“Murinjon e kam mik, – thotë Silva, – por, kur ndeshemi me njëri-tjetrin, unë dua të fitoj. Gjithsesi, kjo është një mundësi e mirë për mua që ta takoj dhe të kaloj pak më shumë kohë me të. Murinjo dëshiron të fitojë, por po ashtu edhe unë”.

Sfidanti.al