Igli Tare me kurorë, dy herë i dënuar: nga Italia dhe ..lartmadhëria!

Sapo kishte filluar festa e Igli Tares duke hapur shampanjën speciale si drejtori më i talentuar i një klubi të Serisë A, dhe  në të dyja vëndet që lidhin zemrën e tij, në Itali dhe në Shqipëri kanë  ndodhur ngjarje që kanë ndalur orkestrën.  Në Itali , festa u shndërrua në një “dënim”, pasi Tare iu vërsul arbitrit Masa në fund të ndeshjes me Fiorentinën, ku shqiptari do të paguaj nga portofoli 10 mijë euro dhe 1 javë do të qëndrojë larg ekipit të tij. Në Shqipëri,  festa e tij   u prish qysh në “ vezë”, sepse urdhëroi  “mbreti”  që të shpërfillej “siç e do zakoni”  e të mos kishte jehonë lajmi i bujshëm se kurora zyrtare e Serisë A shkon në kokën e një shqiptari. Pse ky inat budallai, edhe kur mund të mburemi se s’ka më mirë se me qenë shqiptar i futbollit? Po të kthesh kokën pas, pikërisht tek “humbjet dinjitoze”, më shumë kemi festuar  humbjen me “nder “, vetëm për pak vota,  të  presidentit Duka në gjirin e nënës  UEFA, sesa kur Igli Tare   pushtoi Apeninet edhe  me  talentin e dytë, si zyrtar me vizion, pasi si futbollist e kishin çmuar si bomber që prishi “virgjërinë e portave të mëdha”.

Ka kurorë, por s’ka festë për njeriun që jeton përsëri në ..sulm! Igli Tare ,  ai për të cilin thuhej vetem pak kohë më parë se është bërë  “babai lacial” i futbolistëve shqiptarë në Itali, fill pas deklaratës bombë se “futbolli shqiptar ka nevojë për ndryshime kokë e këmbë dhe të shërojë me rrënjë  plagën e vjetër të basteve”,  është ngjitur në krye të klasifikimit, me meritë, pa trukuar “ndeshjen”, në krye të klasifikimit të armiqëve të betuar në listën e zezë të FSHF-së. Fotoja e tij në muzeun e FSHF-së është fshirë brenda natës, nuk do ta gjeni dot duke shënuar gol apo duke kërcyer me kokë. Nuk gjëndet as ajo klasikja ku Tare dhe presidenti Duka  kombinojnë me një buzëqeshje të madhe, duke na spërkatur me lumturi të gjithëve, për sa kohë që e vërteta e madhe nuk do të dilte vetëm nga goja e tij. Tani që Tare foli, dhe nuk e mbajti dot sekretin e gangrenizuar, fraza e tij matet me ballë tërmeti . Aq sa të gjithë atyre që u djegin deri ne përcëllim fjalët akuzë, pyesin me frikë: ishalla ka folur me kokën e tij, pa u këshilluar me “Zotin”….

Sfidanti.al