Hamilton nuk heq dorë nga huqet, por premton: Vitin tjetër, ndryshe!

Ljuis Hamilton nuk e përmbajti dot veten pa festuar si i çmendur pas fitores së titullit botëror në Formula 1. Piloti anglez kaloi shumë net “të mëdha” jashtë, duke pirë e duke kërcyer, në shoqërinë e miqve apo mikeshave të tij më të preferuara. Vetë 32-vjeçari pranoi se kjo mënyrë jetese e muajit të fundit ndikoi direkt në paraqitjen e tij në pistë, dhe duke mos e lejuar të fitonte asnjë nga dy garat e fundit të sezonit në Brazil dhe Abu Dabi. Fetel dhe Botas e mundën, edhe pse ai e kishte fituar titullin e katërt botëror.

“Do të jem absolutisht i disiplinuar në nisje të sezonit tjetër, – premtoi ai, – makinat do të jenë më të vështira për t’u drejtuar, dhe kjo do të thotë se unë do të duhet të stërvitem më shumë. Nuk kam ndërmend të bëj jetë nate sezonin e ardhshëm”. Hamilton njihet si qejfli i kësaj mënyre jetese dhe besohet se kjo e ka penguar që të shfrytëzonte talentin e tij të madh për të fituar më shumë tituj botëror. Ai ka 4 kampionate ndaj 7 të Shumaherit, dhe ka fituar 62 gara në Formula 1, duke qenë i dyti në histori pas Shumaherit, por me një diferencë të madhe, pasi gjermani ka 91 Çmime të Mëdha ku ka dalë i pari.

Sfidanti.al