Po bëhet gjithnjë e më i mirë. Kështu e vlerësoi klubi i tij i Sauthemptonit, Armando Brojën, pas golit të radhës të shënuar në Premier Ligën angleze. Ylli i kombëtares shqiptare ndodhet në një trajektore meteorike duke qenë ndër më të veçantët e sezonit në ishull, siç e tregoi edhe në barazimin 2-2 në fushën e Kristël Palasit. Adresa e specializuar e statistikave në futboll, “Opta”, shkruan se Broja ka shënuar 4 gola në 6 ndeshje si titullar për Sauthemptonin në Premier Ligë.
Asnjë lojtar 20-vjeçar apo më i ri nuk është më i mirë se ai, ndërsa shqiptari është baraz me yllin e sulmit të Mançester Junajtidit, Mejzën Grinvud. Ekzistoi frika se ai mund të mos luante pas dëmtimit ndaj Arsenalit, por sulmuesi kuqezi e mori veten shpejt. Tifozët e Sauthemptonit e votuan si lojtarin e ndeshjes me mbi 48.5 për qind të preferencave.
“Jam i kënaqur më shumë nga loja sesa nga rezultati, – tha trajneri Hazenhytl, – gjithsesi, rëndësi ka që morëm diçka nga kjo ndeshje. Lojtarët tanë luftuan fort dhe golat e Uord-Prausit dhe të Brojës ishin të shkëlqyer. Jam i lumtur për ta”.
Siç theksojnë adresa të tifozvëe të Çelsit, në vetëm 7 ndeshje si titullar (përfshi edhe kombëtaren), ai ka 9 gola dhe 2 asiste. Jo vetëm kaq, por 20-vjeçari ka realizuar këtë sezon në kampionat më shumë gola sesa 3 sulmuesit që Çelsi ka në skuadër, Lukaku, Verner dhe Haverc.
Sfidanti.al