Briken Calja, i pari në Baterinë B

Briken Calja, i vetmi përfaqësues i peshëngritjes shqiptare në Kupën e Botës në Tajlandë, është renditur i pari në Baterinë B të peshës deri në 73 kilogram. Në stilin e shkëputjes është i saktë në të tria provat e tij, teksa e ka nisur me 145 kilogram për të vijuar më pas me 150 kilogram dhe 152 kilogram. Në shtytje është rezultativ në tentativën e tij me 181 kilogram, por jo i tillë më pas me 185 kilogram. E për rrjedhojë me 333 kilogram është renditur i pari në Baterinë B. Kupa e Botës në Tajlandë ishte dhe gara e fundit kualifikuese për Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ndaj Calja është ndjerë dhe më shumë se sa i kënaqur, ndërsa në postimin e tij në facebook ka shkruar “Rikthim i fuqishëm prej kampioni”. “Pas muajsh mundimesh për shkak të dëmtimit, pas muajsh sakrificash dhe lodhjeje, sot ia dola të rikthehem me një rezultat fantastik në Kupën e Botës “Thailand 2024”, ku arrita nje rezultat shumë të mirë në peshën 73 kg. Shumë mendje skeptike nuk e besonin të rikthehesha kaq fuqishëm sa sot, por përsëri vërtetova se dëshira për të arritur sukses për këtë komb dhe për të qëndruar në majat e këtij sporti janë më të mëdha. Kompeticioni i sotëm ishte një provë dhe një test mjaft i rëndësishëm për shkak se është i fundit kualifikues për Lojrat Olimpike Paris 2024”, ka nënvizuar Briken Calja, i cili ka patur falënderime për të gjithë ata që e mbështesin. I bindur se do të jetë në “Paris 2024”, Briken Calja mund ta radhisë emrin përkrah Luiza Gegës e Zelimkan Abakarov, të cilët kanë kohë që e kanë arritur normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike.

sfidanti.al