Ku i dihet, bën shaka “La Gazeta delo Sporti”, ai mund të jetë duke u stërvitur për ndeshjen ndaj Romës. Kristiano Ronaldo nuk ishte pjesë e fotos së përbashkët të futbollistëve të Juventusit, që ishin mbledhur për një darkë “në familje”, pas fitores 4-0 ndaj Kaljarit në Serinë A. Siç njoftohet, Leonardo Bonuçi paska thënë “paguaj unë për të gjithë”, dhe shokët nuk ia paskan prishur, por CR7-ta nuk e zbukuroi fotografinë. Foton e bëri dhe e hodhi në Instagram Miralem Pjaniçi, ndërsa atmosfera te kampionët e Italisë duket shumë e mirë, pavarësisht sfidës së “hekurt” që po i bën Interi i Antonio Kontes. Ronaldo duhej të kishte qenë “qershia mbi tortë”, pasi realizoi 3 gola ndaj Kaljarit, duke qenë më i miri lojtar në fushë.
Sfidanti.al