Ka qenë më e lehtë deri vjet për të marrë yjet nga Juventusi. Skuadra më e fortë e Italisë ende nuk ishte konfirmuar një “Zonjë” edhe në Europë, por këtë vit situata është krejt ndryshe, dhe këtë e kanë mirë parasysh admiruesit e Leonardo Bonuçit. Një nga mbrojtësit më të mirë të botës është objektiv i Çelsit, por edhe i Barcelonës, ndonëse katalanasit duhet së pari të zgjedhin trajnerin e ri (që besohet të jetë Valverde).
Bonuçi, një garanci në mbrojtjen juventine dhe në atë të Italisë, cilësohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën piemonteze dhe trajneri Alegri nuk do të donte në asnjë mënyrë të mbetej pa të. Në moshën 30-vjeçare ai mbetet një nga më të mirët në botë në rolin e tij, dhe Juventusi cilësohet thuajse si i pathyeshëm pikërisht sepse në mbrojtje luajnë Bonuçi, Kielini e Barxali, ndërsa në portë Bufon.
Gjithsesi, rivalët do të provojnë, madje mediat katalanase shkruajnë se italiani mund të pranojë të shkojë tek Barcelona nëse fiton Championsin, në kërkim të një përvoje të re. Antonio Konte e ka dashur që vjet tek Çelsi dhe sërish interesohet, ndërsa në garë janë Mançester Siti dhe Mançester Junajtid. Besohet se Murinjo jep 50 milionë paund stërlina për kartonin e tij, një rekord botëror për një mbrojtës.
Sfidanti.al