Përplasje të mëdha dhe emocione të forta. i tillë ishte dhe i tillë pritej shorti e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, që u hodh në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrës. Përballja më e fortë që doli nga goglat ishte ajo mes Juventusit dhe Realit të Madridit, në një përsëritje të finales së vjetshme, fituar nga madrilenët, të cilët do të nisen sërish si favoritë, pasi eleminuan Paris SG, ndonëse italianët kaluan një kundërshtar të fortë si Totenhemi.
Bëhet fjalë për një nga klasiket më të mëdha të Ligës së Kampionëve, besohet e dyta pas asaj Bajern-Real. Në 20 ndeshje të luajtura në më shumë se gjysmë shekulli, Juvja dhe Reali kanë nga 9 fitore, ndërsa dy takime kanë dalë në barazim. Golaverazhi është lehtësisht në favor të italianëve, 24-23, ndërsa kualifikimet janë nga 4 për secilën skuadër.
Fat të keq patën skuadrat angleze, pasi Liverpuli dhe Mançester Siti do të detyrohen të ndeshen që në çerekfinale, në një derbi të Anglisë. Kjo është hera e parë që të kuqtë dhe blutë vihen përkundër në kupat europiane. Liverpuli ka një traditë më të madhe, si pesë herë kampion i Europës, ndërsa Siti është një emër i ri i Championsit. Po ashtu, tradita në Angli është në favor të liverpulasve, veçse sot për sot, formacioni i Guardiolës cilësohet si superior ndaj atij të trajnerit Jurgen Klop.
Barcelona, një nga pretendentet më të mëdha për të fituar titullin, pati short të të fortë, por gjithsesi të kënaqshëm, pasi do të luajë kundër Romës së Italisë, një ekipi pa përvojën dhe potencialin e gjigandëve të Europës. Në Champions, dy skuadrat janë përballur dy herë në të kaluarën, dhe që të dyja herët në fazën e grupeve. Bilanci është nga një fitore për secilën skuadër dhe dy barazime, ndërsa golaverazhi është në favor të katalanasve, 8-6.
Bajerni, po ashtu, pati short të përballueshëm, pasi do të sfidojë Seviljen, me takimin e parë që luhet në Spanjë. Gjermanët cilësohen padyshim si favoritë për kualifikim, veçse as Sevilja nuk mund të nënvleftësohet pas eleminimit që i bëri Mançester Junajtidit brenda në “Old Traford”. Ndeshjet e para çerekfinale të Championsit do të luhen në 3 e 4 prill, ndërsa ndeshjet e kthimit do të jenë në program, në 10 e 11 prill.
Sfidanti.al