Bogdani flet për Kumbullën e Manajn, por dhe për talentin e ri, Lakti!

Në Itali e njohin mirë sepse luajti për shumë vjet, thuajse tri të katërtat e karrierës. Erion Bogdani ishte me Rexhinën, Salernitanën, Veronën, Kievon, Sienën, Livornon e Çezenën, plus që ishte ndihmës i Xhani De Biazit tek Shqipëria. Sot, një media interiste si “FC Inter1908” i kërkon dhe i merr një intervistë për një tjetër shqiptar si ai, dhe që kërkohet nga Interi, Marash Kumbullën.

“Nuk e prisja që të shpërthente kaq shpejt, ndonëse e dija se ishte shumë i mirë, – thotë Bogdani me sinqeritet, – merita është e gjitha e tij, dhe është normale që tani është bërë i kërkuar nga shumë klube”. Bogdani, që kishte rol sulmues (ndërsa Kumbulla, mbrojtës), thotë se cilësi të rëndësishme të tij janë shtatlartësia, por edhe aftësia për të lexuar lojën, gjë që e ndihmon të arrijë në vendin e duhur para të tjerëve. “Të mos harrojmë se po flasim për një lojtar të lindur në vitin 2000, që ka ende shumë për të përmirësuar dhe për të dhënë”, – shton Bogdani.

Rekordmeni i golave të kombëtares shqiptare nuk dëshiron të bëjë një parashikim se ku mund të shkojë Kumbulla, pasi pëlqehet nga Interi, Juventusi, Reali apo skuadra në Angli. “Është normale që të mund të luajë për një klub të madh”, – thotë Bogu. Duke folur për Rej Manajn, ish-lojtar të Interit, Bogdani mendon se “ka cilësi të shumta, por disa sjellje të caktuara i prishën punë, por gjithsesi është 23 vjeç, pra mun të kthehet në nivele të larta”. i pyetur se cilët mund të jenë talente të tjerë shqiptarë në Itali, ai thotë se vlerëson mesfushorin Erald Lakti, i Shpresave të Fiorentinës, që është dhënë huazim te Gubio.

Sfidanti.al