Verën e kaluar ishte një ëndërr “me bisht”, pra e zgjatur në maksimum, por që përfundimisht doli mashtrim me “të dalë gjumi”. Nuk qenka e lehtë për Barcelonën që të arrijë tek Nejmari, edhe pse janë bërë betime e stërbetime se kjo do të ndodhë. Vetë lojtari e ka dëshirën, por gjithashtu ai ka disa kushte, ndërsa drejtuesit katalanas vërtet e duan me gjithë shpirt një gjë të tillë, por xhepi duket se nuk ua mban. Gazeta “Marka”, që në këtë rast nuk mund të akuzohet si promadrilene, thekson se për të marrë Nejmarin, klubi i “Kamp Nout” duket të paguajë 164 milionë euro për kartonin. Këtë e theksoi ish-agjenti i brazilianit, Vagner Ribeiro. Pa llogaritur shpenzimet e tjera, edhe kjo është thuajse e pamundur për momentin që po kalon Barcelona.
Përtej kartonit, Nejmari merr rrogë dhe shpërblime të tilla tek Paris SG, që e rrisin shifrën vjetore të tij në 70 milionë euro, pasi sheikët i kanë ofruar edhe kontrata sponsorizimi me kompanitë e tyre. Barça nuk mund të japë rjrogë të tillë, dhe do t’i kërkonte sulmuesit që të ulte pretendimet. Nuk dihet nëse kjo do të pranohej. Sipas “Markës”, operacioni total, për një kontratë 4 apo 5-vjeçare, do të arrinte në 500 milionë euro, diçka që presidenti Bartomeu me siguri e di se nuk mund ta realizojë.
Sfidanti.al