Lukareli: Të ulim pagat e futbollistëve? Në Serinë B e C, janë aq sa të punëtorëve!

Sot është trajneri i Katanias dhe dëshiron të hyjë edhe ai në debatin lidhur me shkurtimin e rrogave të lojtarëve. Kristiano Lukareli, ish-sulmuesi i njohur italian, deklaron se kur flitet për uljen e pagave të futbollistëve duhet bërë një dallim mes Serisë A dhe kategorive më të ulëta. “Figura e futbollistit është dizenjuar mbi tipin që shoqërohet me balerina (velina), që shkojnë për plazh në Ibica dhe që kanë Ferrari, – thotë ai, – në të vërtetë, kur vjen puna për Serinë B dhe C, ka rroga që janë shumë pranë atyre të punëtorëve të thjeshtë në Itali. Në Serinë C flitet për rroga prej 1 300 eurosh në muaj, ndërsa që të gjithë etiketohen si të privilegjuar”.

Lukareli thotë se shkurtimet duhet të jenë për pagat e Serisë A, ku klubet kanë shumë më tepër të ardhura dhe lojtarët marrin nga qindra mijë deri në miliona euro në vit. “Ndez televizorin dhe dëgjoj se shpëtimi i Italisë do të vijë nga shkurtimi i rrogave të lojtarëve, – thekson ai, – ndërsa ka me mijëra njerëz që fitojnë para nga politika dhe nuk e mendojnë kështu për veten e tyre”.

Sfidanti.al