Bilanc “lufte” në Marseille, policia ndaloi 8 tifozë

“Neveri dhe turp”. Ky është titulli i gazetës franceze ‘L’Equipe’ e cila publikoi në faqen e saj të parë fytyrën e përgjakur të Fabio Grosso-s, trajnerit të Lionit, i cili pësoi dëmtime në fytyrë dhe kokë pasi u sulmua autobusi i ekipit, rrugës për në ‘Velodrome’ të Marsejës, për ndeshjen e Ligue 1 kundër formacionit të Rino Gattusos.

Pjesa e djathtë e mjetit ka pësuar dëmtime më të mëdha me disa xhama të shpërthyer. Ndeshja është shtyrë për një datë të mëvonshme pas incidenteve të ndodhura jashtë stadiumit. Një ditë pas incidentit, ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin, konfirmoi arrestimin e nëntë personave.

“Këta njerëz duhet të dënohen ashpër. Që nga fillimi i sezonit kam ndaluar tre ndeshje jashtë fushe për tifozët e dhunshëm, duke përfshirë dy për ato të Marsejës – shtoi Darmanin – Le të ndalojmë dhunën në futboll. Nuk është normale të kemi 500 policë të vendosur për një ndeshje futbolli”, tha ai për Bfm. “Njerëzit hodhën kanaçe në një autobus, a mendoni se është përgjegjësi e policisë? Jo, është përgjegjësi e personit që hedh kanaçe në autobus”, shtoi ai.

“Nuk ka absolutisht vend për dhunë në futboll”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino në një mesazh të publikuar në Instagrami në natën mes të dielës dhe të hënës pas incidenteve të ndodhura në margjina të ndeshjes mes Marsejës dhe Lionit. “Ngjarje të tilla, si ato që ndodhën në Marsejë para ndeshjes së Ligue 1 ndërmjet Olympique de Marseille dhe Olympique Lyonnais, nuk kanë vend në sportin tonë dhe as në shoqërinë tonë dhe u bëj thirrje autoriteteve përkatëse që të sigurojnë marrjen e masave të duhura”,  shtoi ai.

sfidanti.al