Roma dhe Milani ishin dy nga skuadrat pretendente të këtij sezoni të Serisë A, që dolën kokëulur nga fusha e lojës ditën e sotme. Të dyja pësuan disfata, duke u ridimensionuar në pretendimet e tyre. Roma u mposht në fushën e Sampdorias, ndonëse ishte dy herë në avantazh me golat e Bruno Perezit dhe Tomas Vermelenit. Të besuarit e trajnerit Spaleti janë 4 pikë prapa Juventusit që fitoi, dhe që ka edhe një ndeshje në dorë për të luajtur.
Katastrofë edhe ajo e Milanit, mposhtur 1-2 në fushën e Udinezes. Adriano Galiani për fatin e tij nuk ishte dhe i kurseu 90 minuta të dhimbshme. Skuadra e Montelës e nisi shumë mirë, duke shënuar me anë të Xhek Bonaventurës, por friulanët barazuan me francezin Siril Tero në pjesën e parë, ndërsa kaluar në epërsi në 73’ kur realizoi Rodrigo De Pauli. Milani zbriti në vendin e shtatë dhe me këtë formë vështirë se mund të pretendojë për Championsin, madje mund të rrezikojë edhe Ligën e Europës. Pas eleminimit nga Kupa erdhi edhe goditja në kampionat.
Juventusi ndërkaq është në momentin e duhur. Gonzalo Higuain dhe Sami Kedira shënuan që në 25 minutat e para në fushën e Sasuolos, ekip që i ka nxjerrë telashe juventinëve në të kaluarën. Ishte sërish skema ndaj Lacios, me një Juventus me shumë përvojë që mbyll ndeshjen ende pa filluar mirë. Kampionët kanë 51 pikë dhe për momentin, rreziku i vetëm duket se i vjen nga Napoli.