Beteja për Mbapenë do të përfundojë deri në 31 gusht!

Paris SG shprehet ende se ka besim që sulmuesi 22-vjeçar do ta rinovojë kontratën, ndonëse kjo nuk po ndodh. Burime pranë presidentit Al Helaifi bëjnë me dijë se vazhdojnë “sirenat” për Kilian Mbapenë, duke i ofruar “qumësht dallëndysheje”, pra rrogë të niveleve të Ronaldos, Nejmarit e afërsisht të Mesit, privilegje familjare dhe një skuadër që mund të luftojë për Championsin. Donaruma, Vajnaldum, Ramos e Hakimi u morën pikërisht për këtë.

Gjithsesi, Mbape nuk ka dhënë sinjale se do të rinovojë, përkundrazi. Duket se problemi i vetëm i Paris SG është që luan në kampionatin francez, jo në La Ligën e Spanjës, dhe ky është një problem i madh. Mbape dëshiron të ketë përballë Barcelonën, Seviljen, Atletikon e Madridit, Valencian, Vijarrealin, jo Lilën, Lionin, Monakonë apo Marsejën. PSG mund të përfitojë ndonjë gjë nga kampioni i botës deri në 31 gusht kur përfundon faza verore e transferimeve dhe Mbape hyn në vitin e fundit të kontratës. Kjo betejë nervash do të përfundojë pikërisht ato ditë, ndërsa Reali i Florentino Perezit thjesht pret dhe nuk dëshiron të prishë relatat me Al Helaifin.

Sfidanti.al