Bayer Leverkusen i çmendur, fiton titullin në Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës së 29-të, duke fituar 5-0 ndaj Werder Bremen në “Bay Arena”. Një sezon perfekt, një sezon jo vetëm për t’u krenuar, por edhe për t’u studiuar, me “aspirinat” që këtë herë ishin jo ilaçi, por dhimbja e kokës për çdo kundërshtar në Bundesliga. Sa shumë numra, gola, emocione dhe spektakël, për një titull kampion kaq shumë të munguar dhe të dëshiruar, por plotësisht të merituar. Me Granit Xhakën në krye, me Boniface e Grimaldo që golin më shumë se e realizuan, e jetuan, me Xabi Alonso-n, që shumë kush e kujtonte vetëm për klasin në fushë, tani spanjolli është një “Kaizer” i vërtet në atë tokë ku të gjithë ishin mësuar me mbretërimin e Bayern Munich. Bavarezët nuk janë më në krye dhe kjo pas 11 edicionesh radhazi, me Leverkusen që guxoi dhe ia doli, madje në suksesin ndaj Bayern-it në muajin shkurt, titulli u afrua akoma edhe më shumë, ky titull që sot është një realitet i prekshëm. Sot, në “Bay Arena” nuk festohet vetëm për fitoren, për golat, por edhe për historinë, për ata që provuan, për djersën dhe lotët e Voller, Ballck, Rolfes, Kirsten, Schneider apo dhe Berbatov. Sot “Neverkusen” është fjala e ndaluar, sepse fjalori është pasuruar, me “Neverlusen” dhe Kampion e gjithçka tjetër, është vetëm e tepërt për këtë skuadër që tërhoqi pas vetës të madh e të vogël.

120 vjet pa një “Meisterschale”, me vetëm dy tituj në palmares: Kupën UEFA 1988 dhe Kupën e Gjermanisë 1993. Llagapi “Neverkusen”, megjithatë, lindi pas sezonit të jashtëzakonshëm 2001/02, kur nga mundësia për të bërë “tripletë”, “aspirinat” dolën duarbosh. Më pas mbërriti Xabi Alonso dhe Bayer Leverkusen tani mund ta arrijë “tripletën”(me Ligën e Evropës në vend të Campionsit). Spanjolli në krye të skuadrës solli në shtëpi kampionatin e parë në histori, duke ndërthurur rezultatet me një futboll dëfryes. Shifrat janë mbresëlënëse: asnjë humbje në 43 ndeshje të sezonit, në gjysmëfinale të Europa League (fitoi 2-0 ndaj West Hamit në ndeshjen e parë) dhe në finale të Kupës së Gjermanisë. Të gjitha këtyre u duhen shtuar edhe ndeshjet e fituara apo të përmbysura në finale, duke demonstruar një forcë mendore të denjë për të mëdhenjtë. Xabi Alonso, bast i klubit, duke qenë se kishte drejtuar vetëm ekipet e të rinjve të Realit të Madridit dhe ekipin B të Real Sociedadit, kishte mentorë me vlerë absolute në karrierën e tij: Benitez, Pellegrini, Mourinho, Ancelotti, Guardiola dhe Del Bosque. Në thelb të gjitha njohuritë e futbollit botëror. Kredoja e tij taktike është përzierje e shumë ideve. Bayeri i tij shfrytëzon parimet e futbollit pozicional dhe relativ, me një rrjedhshmëri që mund të shihet që në fillim të aksionit. Me pak fjalë, Xabi Alonso tregoi se si cilësia estetike e manovrës mund të kombinohet me efektivitetin në të dyja fazat. Këto ditë, kjo nuk është diçka e vogël.


sfidanti.al