Basti i fundit i “fëmijës 25-vjeçar”, mister nëse Nejmar e di se çfarë kërkon!

Në gjithë historinë e bujshme, por fatmirësisht të shkurtër, të Nejmarit, më shumë mbahen mend fjalët e Gerard Pikesë, “ai është një fëmijë 25-vjeçar që nuk e di se çfarë kërkon”. Sulmuesi brazilian, tashmë praktikisht i larguar nga Barcelona për tek Paris SG, po vendos me këtë lëvizje bastin e tretë dhe të fundit të madh të karrierës së tij.

Të parin tek Santosi e fitoi duke u bërë një nga yjet më të mëdhenj të botës dhe duke kaluar tek Barcelona. A mundi ta fitojë bastin e dytë? Besohet se edhe këtu duhet të thuhen fjalët e tjera të Pikesë. “I kam thënë Nejmarit që nuk mund të lihet kampionati spanjoll për të luajtur në Francë”, tha mbrojtësi i qendrës. Vështirë se mund të quhet bast i fituar, kur arriti moshën 25 vjeç dhe në asnjë moment nuk mundi të kërcënonte Mesin apo Ronaldon, për Topin e Artë, dhe për Këpucën e Artë, ndërsa po ikën nga një klub i madh dhe një kampionat i madh, në një klub më të vogël dhe në një kampionat më të vogël.

Nëse do të kishte bërë si Toti që nuk e braktisi Romën për ndjenjën dhe parimin, dakord. Nëse do të kishte bërë si De Rosi, Gigsi apo Maldini, sërish dakord, veçse duket se Nejmar po e bën këtë sepse kërkon lavdinë e një rrogë të jashtëzakonshme, të një transferimi të pabesueshëm dhe ndoshta edhe jetën më të lehtë në një ligë që nuk kërkon impenjimin e asaj të Spanjës.

Të mos harrojmë, Ronaldinjo bëri rrugën e kundërt, dhe nuk e përballoi dot për shumë vjet Barcelonën dhe Spanjën. Jo më kot, njëri nga njerëzit e stafit të Luis Enrikes ia tha gjatë sezonit të kaluar, se “kështu si e ke nisur, do të përfundosh si Ronaldinjo”. Le të presim për të marrë lajmin e radhës.

Sfidanti.al