Duhet të ketë qenë viti 1962, dhe një ndeshje basketbolli shkollash po zhvillohej në Tiranë. Ishte kampionati vendor i shkollave të mesme dhe aty, specialisti Nijazi Lleshi vuri re një djalë që luante shumë mirë. Ishte vetëm 15 vjeç dhe dallohej edhe mbi ata që ishin 18. Lleshi pyeti për emrin e tij dhe i thanë se nxënësi i Gjimnazit “Qemal Stafa” quhej Agim Fagu. Historia e Fagut të Madh dihet dhe nuk është nevoja të thuhet në këtë shkrim, por mund të shtohet se ashtu si Fagu, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kishte një përpjekje të ethshme për të zbuluar talented. Ishte koha kur Petrit Dume, ish-ministri i mbrojtjes, nxiti ndërtimin e Pallatit të Sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”), dhe kur miqësia shqiptaro-kineze solli trajnerë nga Kina edhe në basketboll, si në shumë sporte të tjerë. Pai Shi Çen dhe Shao ishin në krah të Astrit Grevës dhe trajnerëve shqiptarë të cilët mësuan jo pak. Nga gjithë kjo bazë dolën skuadrat e shquara të Partizanit, por edhe 17 Nëntorit (Tirana), Vllaznisë, Lokomotivës, Dinamos që arritën të përfaqësoheshin denjësisht edhe në Europë.
Sot? Pak ditë më parë kombëtarja e meshkujve pësoi një humbje dërrmuese 37-111 ndaj Holandës në kryeqytet, duke i vënë kapakun një paraqitjeje që la një tjetër njollë. Me një shtet që bën shumë pak për sportin, për të mos thënë që më shumë i prish punë duke shkatërruar hapësirat dhe terrenet, me një federatë që nuk ka lënë asnjë shenjë, dhe me një komunitet basketbolli që pret të bëhet gjithçka nga shteti, “nga lart”, Shqipëria nuk ka shpresë të arrijë 1968-ën kur Partizani barazoi me kampionen e Italisë, Oransodën, në Kupën e Kampionëve, dhe kur Agim Fagu shënoi 48 pikë, pa kosha 3-pikësh. E si mundet kur federata ka armiq apo “neutral” ikonat e djeshme dhe të sotme të koshit, si Agim e Arben Fagun, Bujar Shehun, Astrit Grevën, Ermal Kuqon, Fatmir Cukën apo Eduard Çarçanin?!
Arben Fagu, trajneri i mirënjohur dhe me integritet të rrallë moral, thotë se “jemi jo zero, por zero minus”. “Federata di të hedhë vetëm shortin, – shprehet ai, – nuk ka program, nuk ka projekte, nuk ka strategji, nuk ka kualifikim trajnerësh. Të vjen keq që jemi fqinj me vende me basketboll të rëndësishëm si Kroacia, Mali i Zi, Italia, Kosova, Greqia dhe nuk mësojmë prej tyre”. Në Kosovë, krejt ndryshe, shteti investon më shumë, bën politikë më pro sportit, klubet janë më të organizuar, dhe Federata ka sjellë trajnerë nga ana e anës për të kualifikuar ata vendas. Rezultati? Kosova u kualifikua për në eleminatoret e Botërorit, duke mundur Estoninë dhe duke eleminuar Maqedoninë, dikur gjysmëfinaliste e Europianit.
Sfidanti.al